Brikena, ish-banore e “Big Brother VIP Albania”, ka reaguar publikisht përmes një postimi të gjatë në Instagram, duke shprehur shqetësime për padrejtësi dhe sulme ndaj imazhit të saj gjatë kohës që ishte në shtëpi.

Ajo thekson se, ndërsa ndodhej brenda formatit, jashtë janë përhapur informacione dhe akuza që sipas saj kanë pasur si qëllim ta dëmtojnë, madje edhe nga persona që i konsideronte të afërt.

“Gjatë periudhës që kam qenë brenda në Big Brother, jashtë kam përjetuar shumë padrejtësi. Ka pasur njerëz që janë përpjekur të njollosin imazhin tim, madje disa prej tyre kanë qenë persona të cilëve u kam dhënë nga duart e mia,” – shprehet ajo.

Brikena shton se janë publikuar materiale të cilat nuk ka pasur forcë t’i ndjekë për shkak të ndikimit në shëndetin e saj mendor. Edhe pse është këshilluar të ndjekë rrugë ligjore, ajo ka zgjedhur një qasje tjetër.

“Besoj fort që Zoti ekziston. Nuk është një ‘mace që të gërvisht menjëherë’, por në kohën e duhur i jep secilit atë që meriton,” – thotë ajo.

Në fund të reagimit, ajo falënderon publikisht mbështetësit për përkrahjen dhe thekson se do të vazhdojë të jetë e sinqertë me veten dhe ndjekësit e saj.

Mesazhi i saj përmbyllet me një apel për ndalimin e sulmeve dhe përzgjedhjen e respektit dhe të vërtetës: “Ju lutem, mos vazhdoni më. Le të zgjedhim respektin dhe të vërtetën mbi gjithçka.”