“Kurti në ofensivë për BE-në: Në Jerevan kërkon statusin e kandidatit nga Kallas”

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka zhvilluar një takim të rëndësishëm me Kaja Kallas, Përfaqësuese e Lartë e Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme, në kuadër të Samitit të Komunitetit Politik Evropian në Jerevan.

Gjatë këtij takimi, në fokus kanë qenë zhvillimet politike në rajon, çështjet e sigurisë dhe sfidat ndërkombëtare që po ndikojnë drejtpërdrejt në Ballkanin Perëndimor.

Kurti theksoi rëndësinë e përputhjes së politikave të Kosovës me ato të Bashkimit Evropian, duke e cilësuar këtë si kyçe për avancimin e rrugës integruese të vendit.

Ai rikonfirmoi kërkesën e Kosovës për të marrë statusin e vendit kandidat në BE, duke nënvizuar progresin e arritur dhe duke kërkuar një trajtim të drejtë dhe të bazuar në meritë.

Po ashtu, në takim u diskutua edhe për zhvillimet e fundit politike në vend, përfshirë zbatimin e ligjit për të huajt dhe momentet e fundit që lidhen me proceset institucionale.

Një pjesë e rëndësishme e bisedës ishte edhe dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ku Kurti ngriti shqetësime për situatën e shqiptarëve në Luginën e Preshevës, përfshirë çështjen e pasivizimit të adresave dhe mungesën e mbështetjes financiare.

Sipas njoftimit zyrtar, takimi u zhvillua në një frymë konstruktive dhe shërbeu për thellimin e bashkëpunimit dhe komunikimit ndërmjet institucioneve të Kosovës dhe Bashkimit Evropian.

Ky zhvillim vjen në një moment kyç për aspiratat evropiane të Kosovës, teksa vendi synon të avancojë drejt një faze të re në procesin e integrimit.