Cristiano Ronaldo flet hapur për fundin e karrierës: “Po afrohet momenti…”
Pas fitores 2-0 të Al Nassr ndaj Al-Ahli, ku Cristiano Ronaldo ishte sërish protagonist me gol, ylli portugez ka folur hapur për të ardhmen e tij në futboll.
Në një intervistë për Canal GOAT BR, Ronaldo pranoi se fundi i karrierës së tij po afrohet, por theksoi se ende vazhdon ta shijojë çdo moment në fushë.
“Fundi i karrierës sime po afron… le të shijojmë çdo ndeshje. Karriera ime ka qenë e jashtëzakonshme dhe dua që të vazhdojë të jetë kështu. Ende e shijoj futbollin dhe ende shënoj gola”, u shpreh Ronaldo.
Sulmuesi portugez shtoi se motivimi i tij mbetet i madh, pavarësisht moshës dhe faktit se karriera po i afrohet fundit.
“E shijoj çdo ditë, çdo ndeshje dhe çdo sezon, edhe tani që po i afrohem fundit. Ky është realiteti”, tha ai.
Synimi me Al Nassr
Përveç rekordeve personale, Ronaldo foli edhe për objektivin kryesor me Al Nassr: fitimin e kampionatit në Arabinë Saudite.
“Është diçka që të gjithë e duam shumë. Jemi të etur për ta fituar kampionatin”, deklaroi ai.
Në moshën 41-vjeçare, Cristiano Ronaldo vazhdon të tregojë ambicie për të shënuar, për të fituar trofe dhe për të lënë gjurmë në historinë e futbollit.