Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, ka reaguar ndaj kritikave të opozitës lidhur me procesin e integrimit evropian, duke thënë se nuk e sheh të nevojshme të merret me akuzat e tyre.
“Cila opozitë? LSDM? Ata që mendonin se do të bënin diplomaci ndërkombëtare me pranimin e vizave blanko dhe me nënshkrime në kurriz të Maqedonisë?” u shpreh Mickoski, duke kritikuar ashpër politikat e mëparshme.
Ai theksoi se qeveria aktuale nuk ndjek “diplomaci për para”, por një politikë të qëndrueshme shtetërore që, sipas tij, ka mbështetjen e qytetarëve.
“Ne ndjekim politikë që qytetarët e njohin dhe e mbështesin. Unë si njeri nuk do të hyj kurrë në aventura pa e ditur më parë fundin, dhe ai fund duhet të jetë pozitiv për qytetarët,” deklaroi ai.
Mickoski shtoi se një pjesë e sfidave aktuale në procesin e integrimeve evropiane vijnë si pasojë e politikave të mëhershme të LSDM-së dhe BDI-së, të cilat tani, sipas tij, duhet të korrigjohen hap pas hapi.
“Shumë gjëra janë bërë në të kaluarën dhe tani ne po i rregullojmë gradualisht, hap pas hapi, për të arritur një pozicion më të mirë,” tha kryeministri.
Në fund, ai theksoi se nuk do të pranojë ndryshime apo kompromise që nuk garantojnë një rrugë të sigurt drejt Bashkimit Evropian.
“Nuk do të bëj ndryshime nëse nuk jam i sigurt se na çojnë drejt BE-së,” përfundoi Mickoski.