Arrestohet Ervin Mata

Kapet në Brazil ish-i i Elvana Gjatës, Ervin Mata – fund arratisë së “bosit të kokainës”

Arratia e një prej personave më të kërkuar nga drejtësia shqiptare ka marrë fund. Biznesmeni Ervin Mata është arrestuar në Ilha Bela të Brazilit gjatë një operacioni të koduar “The Wanted”.

Sipas raportimeve, ai fshihej duke përdorur dokumente të falsifikuara britanike, por autoritetet vendase, në bashkëpunim me agjenci ndërkombëtare, arritën ta lokalizojnë dhe ta vënë në pranga.

Arrestimi u krye pas një urdhri të lëshuar nga Gjykata e Lartë Federale e Brazilit, bazuar në kërkesën e SPAK, i cili e akuzon Matën si drejtues të një grupi të strukturuar kriminal.

Sipas hetimeve të nisura në vitin 2023, grupi i tij dyshohet se ka trafikuar sasi të mëdha kokaine nga Amerika Latine drejt Europës.

Dokumentet tregojnë se në vetëm dy vite janë sekuestruar rreth 931 kilogramë kokainë, ndërsa aktiviteti i rrjetit shtrihej nga Brazili drejt Spanjës dhe Gjermanisë.

Organizata përdorte metoda të sofistikuara për të fshehur gjurmët, përfshirë sistemin informal të transferimit të parave “Hawala”, që shmang bankat dhe e bën të vështirë gjurmimin e transaksioneve.

Dyshohet se fitimet nga trafiku janë investuar në Shqipëri, kryesisht në sektorin e ndërtimit, duke i kthyer paratë e paligjshme në asete si kulla dhe apartamente.

Pas arrestimit, autoritetet shqiptare kanë nisur procedurat për ekstradimin e tij, ndërsa Mata pritet të përballet me akuza të rënda për trafik droge, pastrim parash dhe përfshirje në aktivitet kriminal.