Ish-presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, është shfaqur në publik përmes pamjeve të publikuara nga Report Tv, teksa ndodhet në sallën e Gjykatës së Posaçme (GJKKO), ku po zhvillohet seanca e parë e gjyqit në themel ndaj tij.

Meta, i cili ndodhet në paraburgim që nga tetori i vitit 2024, shihet brenda kafazit të qelqtë në sallën e gjyqit, një detaj që ka tërhequr vëmendje të madhe publike dhe mediatike.

🎥 Shiko videon këtu:

Gjatë seancës, ish-presidenti ka reaguar ashpër ndaj procesit gjyqësor, duke e cilësuar atë si të padrejtë dhe të ndërtuar mbi akuza të rreme.

“Procesi ndaj meje është i montuar me shpifje dhe kallëzues të rremë kundër shtetit,” dëgjohet të thotë Meta nga brenda kafazit.

Megjithatë, ai theksoi gjithashtu se është i gatshëm të mbajë përgjegjësi për çdo veprim të tij, duke deklaruar: “Mbaj përgjegjësi për çdo veprim dhe shkelje timen.”

Ndërkohë, Gjykata e Posaçme pritet të marrë vendim lidhur me dy kërkesat e paraqitura nga Meta: largimin e tij nga kafazi i qelqtë gjatë seancave dhe lejimin e transmetimit të plotë live të procesit gjyqësor.

Seanca shënon nisjen e një procesi të rëndësishëm gjyqësor, që pritet të ndiqet me interes të lartë nga publiku dhe politika në vend.