Vazhdojnë përplasjet politike pas mesazhit të pretenduar të ministrit të Jashtëm – Ferit Hoxh. Ky i fundit ka reaguar për herë të parë pas polemikave të fundit politike që shpërthyen pas publikimit të pretendimeve rreth një komunikimi të brendshëm mbi shqiptarët e Maqedonisë së Veriut. Në një intervistë për Albanian Post, ministri Ferit Hoxha tha se kjo çështje tashmë është sqaruar dhe se nuk ka çfarë të shtojë. Edhe Ministria e Jashtme e Shqipërisë i ka quajtur këto pretendime të pavërteta dhe të fabrikuara për qëllime politike.

“Qëndrimet tona mbi politikën e jashtme nuk komunikohen as me SMS dhe as me WhatsApp. Ato bëhen përmes kanaleve zyrtare dhe transparente, të njohura për publikun dhe partnerët tanë ndërkombëtarë, dhe vetëm këto qëndrime prodhojnë efekt”, tha Ferit Hoxha.

Reagon koalicioni VLEN: Fshirja e postimit nuk mjafton! Ata kërkojnë falje publike dhe kritikojnë ashpër mungesën e reagimit nga Tirana zyrtare. Sipas VLEN, ky nuk është vetëm një debat politik, por një ofendim i rëndë ndaj një pjese të madhe të shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut, duke kërkuar përgjegjësi dhe respekt institucional.

“Në të vërtetë, BDI nuk po mbron Shqipërinë. BDI po mbron përçmimin dhe fyerjen ndaj shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut. Ata që për 20 vjet e trajtuan shqiptarin si votë, si numër, si militant dhe si pronë partie, sot nuk kanë problem kur dikush e quan 'idiot'. Sepse për ta, shqiptari ka vlerë vetëm kur hesht, bindet dhe voton për ta. VLEN nuk është kundër Shqipërisë. VLEN është kundër secilit që fyen shqiptarët, qoftë në Shkup, Tiranë apo kudo tjetër,” thonë nga VLEN.

BDI e akuzon VLEN: Partia BDI ka reaguar ashpër, duke akuzuar koalicionin VLEN për bashkëpunim me VMRO-DPMNE, duke sulmuar Shqipërinë dhe duke lënë pas dore mbrojtjen e interesave të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut. Sipas BDI-së, përfaqësuesit shqiptarë në qeveri po përdoren për qëllime politike kundër Shqipërisë, në vend që të fokusohen në të drejtat e shqiptarëve, si barazia, përfaqësimi dhe integrimi evropian i vendit.

“Prej javësh Hristijan Mickoski ka hapur sulme politike ndaj Shqipërisë, sepse Shqipëria nuk hesht përballë cenimit të barazisë së shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut dhe sepse ecën përpara në procesin evropian. Në vend që të mbrojnë dinjitetin e shqiptarëve këtu, VLEN u rreshtua menjëherë në të njëjtën vijë me VMRO-DPMNE,” thonë nga BDI.

Një çështje që po trazion gjithçka: Për rastin në fjalë ka pasur reagime të shumta nga funksionarë dhe politikanë tjerë, brenda dhe jashtë vendit, duke e bërë këtë një temë nxehtë që kërkon më shumë se një zgjidhje politike, por një reflektim të thellë mbi vlerat dhe interesat kombëtare.