Reperi kanadez Drake ka gjetur një mënyrë krejtësisht të pazakontë për të promovuar albumin e tij të ri “ICEMAN”, por ajo që nisi si një ide kreative, përfundoi në një skenë kaotike në zemër të Torontos.

Në qendër të qytetit u vendos një skulpturë gjigante akulli, rreth 25 metra e lartë, që fshehte brenda saj një sekret: datën e publikimit të albumit. Kaq mjaftoi që qindra fansa të mblidheshin menjëherë, të vendosur për ta zbuluar misterin me çdo kusht.

Situata doli shpejt jashtë kontrollit. Video virale tregojnë njerëz që përdorin çekiçë, mjete të rënda, madje edhe flakëhedhës për të shkrirë akullin dhe për të arritur në brendësi të strukturës. Në disa momente, mbi skulpturë u ndezën edhe zjarre të vogla, duke rritur rrezikun për sigurinë publike.

Mes kaosit, një streamer arriti të thyejë pjesën e sipërme të strukturës dhe zbuloi një çantë të fshehur me mesazhin “Freeze the world”. Pas ndjekjes së udhëzimeve të tjera, ai përfundoi në rezidencën luksoze të Drake, ku u zbulua edhe surpriza kryesore: albumi “ICEMAN” do të publikohet më 15 maj.

Ndërkohë, autoritetet lokale ndërhynë për të shpërndarë turmën dhe për të shmangur incidente të mëtejshme, duke shkrirë plotësisht instalacionin për arsye sigurie.

Pavarësisht përfundimit të papritur, një gjë është e sigurt: Drake arriti atë që donte. E gjithë ngjarja u bë virale në rrjetet sociale, duke tërhequr vëmendjen globale dhe duke e kthyer “ICEMAN” në një nga albumet më të përfolura të momentit.