Gjykata Themelore në Prishtinë pritet të shpallë pasditen e së premtes aktgjykimin për rastin e sulmit në Banjskë, ku të akuzuar janë Bllagoje Spasojeviqi, Vlladimir Tolliqi dhe Dushan Maksimoviqi. Sipas raportimeve, Spasojeviqi dhe Tolliqi janë dënuar me burgim të përjetshëm, ndërsa Maksimoviqi me 30 vjet burg.
Ngjarja lidhet me sulmin e armatosur të ndodhur më 24 shtator 2023 në komunën e Zveçanit, ku mbeti i vrarë rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku. Autoritetet e Kosovës e kanë cilësuar këtë sulm si akt terrorizmi dhe kanë akuzuar Serbinë për përfshirje, akuza që janë mohuar nga Beogradi.
Të tre të dënuarit janë pjesë e një grupi më të madh prej 45 personash ndaj të cilëve është ngritur aktakuzë rreth një vit pas sulmit. Në mesin e tyre përfshihet edhe Millan Radoiçiq, ish-nënkryetar i Listës Serbe, i cili sipas aktakuzës konsiderohet si organizatori kryesor i grupit.
Gjykata kishte vendosur që procedura penale ndaj Spasojeviqit, Tolliqit dhe Maksimoviqit të veçohej nga pjesa tjetër e grupit. Ata ndodhen në paraburgim që nga shtatori i vitit 2023. Ndërkohë, për 42 të akuzuarit e tjerë, gjykata refuzoi kërkesën e Prokurorisë Speciale të Kosovës për gjykim në mungesë.
Ky rast mbetet një nga më të rëndësishmit për sigurinë në veri të Kosovës dhe ka tërhequr vëmendje të gjerë politike dhe ndërkombëtare, duke thelluar tensionet mes Prishtinës dhe Beogradit.