Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka ngritur alarmin për pasojat financiare dhe politike që mund të sjellin zgjedhjet e reja në vend, në një kohë kur çështja e zgjedhjes së presidentit vazhdon të mbetet e pazgjidhur.

Duke folur pas përurimit të renovimeve në Klinikën e Kardiologjisë, Kurti theksoi se organizimi i zgjedhjeve të reja do t’i kushtonte buxhetit të shtetit të paktën 10 milionë euro, vetëm për procesin teknik të organizimit nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.

Sipas tij, dëmet nuk do të ndaleshin vetëm me kaq. Ai paralajmëroi se mosfunksionimi i Kuvendit do të sillte humbje edhe më të mëdha ekonomike, duke përmendur shifra që mund të arrijnë në dhjetëra milionë euro për shtetin.

Kurti gjithashtu u shpreh skeptik se zgjedhjet e reja do të sillnin zgjidhje, duke lënë të kuptohet se vendi mund të futet në një cikël të pafund zgjedhjesh pa arritur stabilitet politik.

Ai drejtoi kritika ndaj partive opozitare, duke theksuar se sipas tij ato nuk kanë treguar gatishmëri për marrëveshje. Kryeministri përmendi se ka bërë disa oferta, si për bashkëqeverisje ashtu edhe për marrëveshje në Kuvend, por pa rezultat konkret.

Në këtë kontekst, Kurti theksoi se arritja e një marrëveshjeje politike është e domosdoshme për të shmangur krizën dhe dëmet e mëtejshme për vendin.

Ndërkohë, afati për zgjedhjen e presidentit nga Kuvendi i Kosovës, sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, mbetet deri më 28 prill, duke rritur presionin mbi skenën politike për të gjetur një zgjidhje sa më shpejt.